Ekspozita AKTUALE
EN MK

Gratë, kafshët, postkolonialistët, bakteret, Të Tjerët dhe ujërat e trazuara

16/11/2026 – 21/03/2027

Ekspozitë ndërkombëtare grupore

Hapja: 16 nëntor / 20:00

 

Shumë nga krizat bashkëkohore dhe pabarazitë shoqërore burojnë nga logjika e patriarkatit kapitalist, një sistem i bazuar në dominimin, shfrytëzimin dhe kontrollin mbi gratë, Të Tjerët dhe natyrën. Kjo hierarki politike e ndërthurur i vendos të drejtat e atyre që nuk janë pjesë e kanonit në një nivel më të ulët. Nga ana tjetër, ndërgjegjësimi tashmë i krijuar për dominimin e qëndrimeve patriarkale dhe raciste të supremacisë së bardhë, të cilat i konsiderojnë të tjerët inferiorë «për shkak të natyrave të tyre themelore të pandryshueshme», nxit dhe kërkon krijimin e një bashkësie që kujdeset për gjendjen e botës dhe kushtet në të, me synimin për të ndërhyrë në to. Filozofja Rosi Braidotti bën thirrje për largim nga antropocentrizmi drejt kuptimit të jetës si një rrjet forcash njerëzore, jonjerëzore dhe teknologjike të ndërlidhura. Përkatësisht, lufta për të drejtat e grave, nga perspektiva e feminizmit posthumanist, synon çidentifikimin dhe kërkimin e një njerëzimi tjetër, drejt marrëdhënieve të reja etike afirmative që e ndërpresin hierarkinë mes njerëzve dhe Të Tjerëve dhe e forcojnë ndërvarësinë, njohjen e barazisë së specieve dhe një ndjenjë më bashkëpunuese të ndërvarësisë mes njerëzve dhe kafshëve, bimëve, Tokës dhe planetit në tërësi. Pra, siç thotë Braidotti, mes gjithë të tjerëve: gratë, personat LGBT, kafshët, njerëzit me ngjyrë, subjektet postkoloniale, bakteret, Të Tjerët, jashtëtokësorët, pjesë e shumësisë së atyre që janë përjashtuar nga historia dhe kultura zyrtare.

Gratë, kafshët, postkolonialistët, bakteret, Të Tjerët dhe ujërat e trazuara është, në fakt, një ese ekspozuese që niset nga një premisë dhe një paraqitje e përkushtuar ndaj formave të reja të përgjegjësisë ekologjike dhe etike, si dhe kujdesit kolektiv, që shtrihen përtej njerëzores. Premisa që ajo shtron është se për një botë më të mirë nevojiten marrëdhënie të reja etike që do ta sfidojnë hierarkinë mes njerëzve dhe Të Tjerëve dhe do ta forcojnë ndërvarësinë. Ndërkaq, ky përkushtim merr formën e një kornize vizuale të përbërë nga vepra artistësh të kohëve, periudhave, hapësirave gjeografike dhe gjinive të ndryshme, të cilët, duke u nisur nga ajo që kemi të përbashkët, si trupa të përbërë nga uji, përkatësisht nga natyra jonë ujore (wateriness), që na bën më-shumë-se-njerëzorë si në nivel material ashtu edhe në atë konceptual, përpiqen të flasin për shfrytëzimin e ujit jo vetëm si problem ekologjik, por edhe si krizë e marrëdhënieve, përgjegjësisë dhe organizimit të përgjithshëm të jetës. Sipas Astrida Neimanis, të gjithë ne jemi trupa ujorë, gjë që mund të kuptohet si çështje politike, ekologjike dhe etike, e cila sfidon idenë e qenieve njerëzore si subjekte autonome që qëndrojnë të ndara nga natyra. Privatizimi, shndërrimi në mall, ndotja dhe nxjerrja e tepruar e ujit flasin për trajtimin e përgjithshëm të botës së gjallë si një burim i pakufizuar, si dhe për pushtetin dhe pabarazinë shoqërore. Përballë kësaj logjike, ekspozita na fton ta shohim ujin si një gjendje të përbashkët dhe relacionale të ekzistencës, si një medium të ndërvarësisë dhe si një forcë materiale që lidh botët njerëzore dhe ato më-shumë-se-njerëzore.

Duke bashkuar praktikat artistike të Ursula Biemann, Carolina Caycedo, Verica Kovaçevska, Minerva Cuevas, Ivana Mirçevska, Darinka Pop Mitiq dhe Robertina Šebjanič, kjo ekspozitë hulumton mënyrat e shumta përmes të cilave uji shndërrohet në hapësirë të luftës ekologjike, shoqërore dhe politike. Përmes videos, instalacionit, tingullit, praktikave kërkimore dhe ndërhyrjeve vizuale, artistet shqyrtojnë shfrytëzimin dhe shndërrimin e ujit në mall, infrastrukturat që kontrollojnë lëvizjen e tij, si dhe pasojat e degradimit të mjedisit jetësor mbi bashkësitë njerëzore dhe jonjerëzore. Veprat e tyre zbulojnë ndërthurjen e ekonomive nxjerrëse, trashëgimisë koloniale dhe sistemeve kapitaliste, duke vënë njëkohësisht në pikëpyetje kuptimin antropocentrik të natyrës si një burim i disponueshëm për konsum të pakufizuar. Në vend që ta trajtojë ujin si një peizazh pasiv apo si një mall të pashtershëm, ekspozita na fton ta rimendojmë atë si një trup të gjallë, të ndërlidhur dhe të cenueshëm. Ajo ngre pyetje se si mund t’i dëgjojmë historitë e tij, ta njohim rolin e tij aktiv dhe të imagjinojmë forma alternative të bashkëjetesës, të mbështetura në ndërvarësi, përgjegjësi dhe kujdes.

Në veprat e Carolina Caycedo dhe Minerva Cuevas trajtohet shfrytëzimi i ujit si e mirë publike. Caycedo, në veprën e saj video «Ne, lumi», rrëfen për industritë nxjerrëse dhe katastrofat ekologjike të shkaktuara nga ndërtimi i disa hidrocentraleve në Brazil, si dhe për lëvizjet e ndryshme të rezistencës së bashkësive të shumta indigjene që jetojnë në afërsi të tyre. Cuevas, në instalacionin e saj të titulluar «Egalite», flet për privatizimin dhe shndërrimin e burimeve publike në mall, në kundërshtim me idenë e së mirës publike të destinuar për të gjithë. Në këtë instalacion, ajo transformon markën e ujit të ambalazhuar Evian, duke e zëvendësuar emrin e saj me fjalën égalité. Ndërkaq, Ursula Biemann, në videon «subatlantik», vë në pah shkrirjen e akullnajave të shkaktuar nga ndryshimet klimatike globale, çekuilibrin serioz të ekosistemeve, por edhe potencialin që ato mbartin për të ardhme të reja gjenetike. Robertina Šebjanič, në instalacionin e saj «Jehona nga humnera», trajton çështjen kritike, por shpesh të anashkaluar, të armëve kimike të hedhura në fund të detit, të cilat cenojnë biodiversitetin, përbërjen kimike të ujit dhe ekuilibrin ekologjik.

 

Verica Kovaçevska, Koha e lumit, 2026, video, 4′ (Pamje nga videoja, me mirësjelljen e artistit)

 

Verica Kovaçevska, në video-poemën e saj të titulluar «Koha e lumit», hulumton kohën përmes marrëdhënies sonë me trupat tanë, natyrën dhe mendimin indigjen, duke bërë thirrje për ngadalësim si një proces i kundërt me ritmin e përshpejtuar kapitalist, përmes takimit të saj me lumin Uruguai. Darinka Pop Mitiq, në muralin e titulluar «Didara», përmes historisë së jetës së prizrenases Didara Dukagjini Gjorgjeviq, mësuese e më pas politikane profesioniste dhe funksionare në autoritetet krahinore dhe federale të Jugosllavisë, flet për lumin Lumbardhi/Bistrica në Prizren dhe rëndësinë e tij për qytetin. Në të vërtetë, uji që rridhte nga malet përmes një rrjeti kanalesh të përbashkëta nëpër qytet ishte objekt i kujdesit kolektiv të qytetarëve për këtë burim të përbashkët, me përkushtim dhe në dobi të të gjithëve. Instalacioni i Ivana Mirçevska, i titulluar «Trapi i Mimlikvive», nga një perspektivë e ardhshme spekulon mbi «të ardhmen e lagësht», përkatësisht mbi pasojat e ndryshimeve klimatike, si intensifikimi i cikleve hidrologjike, shtimi i reshjeve të shiut, shkrirja e akullit dhe zgjerimi i sistemeve kënetore që ripërcaktojnë peizazhet, biodiversitetin dhe infrastrukturën njerëzore. Përmes formave të imagjinuara të inteligjencës trupore, të quajtura Mimlikvi, ajo ngre pyetjen se si ndryshojnë përvoja jonë trupore dhe marrëdhëniet tona kur bota përreth nesh dhe brenda nesh bëhet ujore.

Nga ana tjetër, pjesë e ekspozitës janë edhe disa vepra nga koleksioni i MAB – Shkup, të përfshira në tërësinë «peizazhet nuk janë më vetëm peizazhe», përkatësisht waterscapes (peizazhe ujore), ku uji është në fokusin kryesor dhe autoret e tyre janë kryesisht artiste gra. Duke vendosur përfaqësimet historike të peizazheve ujore dhe peizazheve të krijuara nga artiste gra në dialog me praktikat artistike bashkëkohore, ekspozita ndjek ndryshimet e perceptimit të ujit në kontekste të ndryshme historike dhe politike. Duke lëvizur mes ujit si objekt i reflektimit estetik dhe ujit si territor i kontestuar, i formësuar nga shfrytëzimi, privatizimi dhe dhuna ekologjike, ajo shqyrton se si marrëdhënia jonë me këtë element thelbësor është ndërtuar dhe transformuar. Ky krahasim historik hap gjithashtu një perspektivë feministe mbi përfaqësimin e natyrës, duke rishqyrtuar lidhjet gjinore mes grave, trupave dhe botës natyrore, ndërsa njëkohësisht rikthen në vëmendje histori artistike që shpesh kanë mbetur në margjinat e narrativave dominuese. Në vend që të paraqesë një kalim linear nga peizazhi piktoresk drejt krizës ekologjike, ekspozita vendos në dialog kohësi dhe forma të ndryshme të dijes, duke shtruar pyetjen se si uji mbart histori shfrytëzimi, kujtese, rezistence dhe ndërvarësie.

 

Artiste: Ursula Biemann (Zvicër) | Carolina Caycedo (Mbretëria e Bashkuar | SHBA / Porto Riko) | Verica Kovaçevska (Maqedonia e Veriut / Zvicër) | Minerva Cuevas (Meksikë) | Ivana Mirçevska (Maqedonia e Veriut) | Darinka Pop Mitiq (Serbi) | Robertina Šebjanič (Slloveni), si dhe vepra nga koleksioni i MAB – Shkup, të artisteve Kate Antipa, Alessandra Bonelli, Tonja Dendrinou Nikolaidis, Katja Evtimova, Ann McCall, Aneta Svetieva.

Kuratore: Ivana Vaseva

Dizajni i ekspozitës: Dimitar Milev në bashkëpunim me Ivana Vaseva
Bashkëpunëtore për dizajn: Iliana Petrushevska
Bashkëpunëtorë në produksion: Dimitar Milev, Denis Saraginovski, Nevenka Nikoliq, Iva Dimovski, Ana Trajkovska, Martin Manev

Fotoja e kopertinës: Carolina Caycedo, A Gente Rio, 2016, video, 29’29” (Me mirësjellje të artistes, Commonwealth and Council dhe Instituto de Vision – Nju Jork, Bogota)

Ekspozita është pjesë e programit vjetor të Muzeut të Artit Bashkëkohor – Shkup, i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

EKSPOZITA TË KALUARA

ПИКАСО, СЛИКАТА НА МУЗЕЈОТ: Избор на дела од колекцијата на МСУ - Скопје

14/10/2026 - 28/10/2026

СОЛИДАРНОСТА КАКО ИДНИНА

29/09/2026 - 28/10/2026

БЛАГОЈА МАНЕВСКИ: 40 години творештво

23/09/2026 - 08/11/2026

ЛАЗЕ ТРИПКОВ: Имерзивна трансформација на глаголицата

21/08/2026 – 05/09/2026